20 vjet DPSHTRR
Në kuadër të festimit të mbi 1 shekulli automotorizim shqiptar (105-vjet nga regjistrimet e para të automjeteve në Shqipëri), të themelimit të të parit Regjistër Zyrtar RETRO të mjeteve shqiptare me interes historik, si edhe mbi të gjitha të 20-vjetorit të institucionit të themeluar në 1999, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) organizoi në datat 1-3 Nëntor 2019 një sërë aktivitetesh të cilat evokojnë në retrospektivë të djeshmen e automotorizimit shqiptar, festojnë konsolidimin dhe rifitimin e kredibilitetit nga DPSHTRR sot, si institucion kombëtar në vitin e kthesës historike dhe përmirësimet e ndjeshme të cilësisë së shërbimeve të transportit rrugor për qytetarët, duke shpalosur horizontin dhe perspektivën për nesër. Shërbimi i transportit rrugor prek jetën e të gjithë familjeve shqiptare duke e kthyer DPSHTRR si një nga ndërmarrjet me më shumë ndikim, me mbi 2 milionë shërbime në vit, në kontakt të përditshëm me qytetarët.
Në këtë vit jubilar e historik, DPSHTRR rikthen besueshmërinë dhe transparencën duke synuar krijimin e një imazhi pozitiv nëpërmjet përmirësimit të shërbimit dhe hapjes sociale të institucionit për të dëgjuar zërin e qytetarëve, duke thyer barrierat e komunikimit të ngritura ndër vite.
Sot, qytetari është në fokusin kryesor të hartimit të politikave të DPSHTRR.
Sot, koleksionistët RETRO, pushtojnë kryeqytetin me koleksionin e vyer të mjeteve historike shqiptare, pasion i cili nuk do të qëndrojë më i pluhurosur në garazhdet e harresës disa-vjeçare falë projektvendimit për “Për vlerësimin dhe klasifikimin e ciklomotorëve, motomjeteve dhe automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi”. Mjetet historike do të kenë lehtësira të shumta, si përjashtimi nga taksat e luksit, ndalesat e importit lidhur me kategorinë mjedisore, do të jenë të përjashtuar nga taksa vjetore e qarkullimit, nga taksat mjedisore, madje edhe nga kontrolli teknik periodik. Më së fundmi, ky komunitet të apasionuarish, një komunitet deri dje i padukshëm, shumë shpejt do të gëzojë statusin e merituar si të gjithë koleksionistët e mjeteve nga vendet e ndryshme të Europës, duke i dhënë mundësinë për të marrë pjesë në aktivitete kulturore, turistike në Shqipëri e jo vetëm.
DPSHTRR do të ngrejë dhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO si një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.