Përpara se të importoni një mjet në Republikën e Shqipërisë, ju duhet të informoheni mbi hapat për t’u ndjekur, nisur nga viti i prodhimit të mjetit që dëshironi të importoni.
Mjetet e prodhuara përpara vitit 1970 mund të importohen pasi konsiderohen si mjete të hershme me interes historik dhe koleksionimi:
Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni me aplikimin për RETRO.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018.
https://www.retro.al/sites/default/files/downloads/vkm_nr.633_dt.26.10.2018.pdf
Konsultoni Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për mjetet e prodhuara ndërmjet viteve 1971-1991. Kjo Listë vlen për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të blini, importoni apo restauroni mbart vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit RETRO.
Prania në këtë listë është një kriter i domosdoshëm për importin e një mjeti historik që synon të marrë statusin Retro. Gjithashtu, për përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve RETRO, mjeti duhet të jetë i mirëmbajtur, të jetë restauruar duke ruajtur origjinalitetin, etj.
a. Nëse mjeti është pjesë e listës, mund të vijohet me importin e tij.
Për të kryer procedurën e zhdoganimit, punonjësi i doganës nis një kërkesë me email pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për zhdoganimin si mjet RETRO. Sektori i Verifikimit të Mjeteve pranë DPSHTRR jep konfirmimin nëpërmjet e-mailit te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pasi ka verifikuar që modeli i mjetit është i përfshirë në listën e mjeteve historike. Kjo procedurë realizohet në 1-2 ditë.
Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni aplikimin për RETRO.
b. Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste zyrtare të miratuar, ju nuk mund ta importoni atë pasi nuk do të mund ta regjistroni e të qarkulloni me të.
Të gjitha kërkesat e depozituara për informim në lidhje me modele që nuk janë përfshirë në këtë listë do të shqyrtohen nga grupi i ekspertëve që kanë hartuar Listën, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Lista e Zhvillimit “Future Classics”, përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet (të prodhuara midis viteve 1991-2001). Kjo listë do të shërbejë si një udhëzues për ruajtjen e atyre mjeteve që aktualisht qarkullojnë në Shqipëri, si dhe për importin e modeleve që paraqesin vlera potenciale historike, por ende nuk e kanë arritur vjetërsinë për të vijuar me procesin e përfshirjes në Regjistrin e Mjeteve Historike Retro.
a. Nëse mjeti është pjesë e Listës “Future Classics”, ju mund të vijoni me importin e tij. Në këtë rast, për të kryer procedurën e zhdoganimit, punonjësi i doganës nis një kërkesë me email pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganeve, për zhdoganimin si mjet RETRO. Sektori i Verifikimit të Mjeteve pranë DPSHTRR verifikon nëse modeli i mjetit është i përfshirë në Listën “Future Classics”, e më pas dërgon konfirmimin me email tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të vijuar me zhdoganimin e mjetit.
*Vini re! Procesi i marrjes së statusit Retro do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite).
Shembull: Nëse mjeti ka vit prodhimi 1995, ju duhet të aplikoni për RETRO në vitin 2026, pasi në atë vit mjeti plotëson vjetërsinë 30 vite (kriter i domosdoshëm për RETRO).
b. Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste zyrtare të miratuar ose nuk plotëson kategoritë e lejuara mjedisore, nuk është i mundur regjistrimi dhe qarkullimi i tij.