UDHËZUES PËR STATUSIN E MJETEVE RETRO

 

  • Të jetë i prodhuar të paktën përpara 30 (tridhjetë) vitesh;
  • Të jetë i përfshirë në Listën e miratuar të Mjeteve Historike (për mjetet e prodhuara pas vitit 1970);
  • Të jetë i ruajtur apo i restauruar në formën e tij origjinale;
  • Të mos përdoret për qarkullim të përditshëm;
  • Të mos jetë më në prodhim;
  • Të ketë motor me djegie të brendshme me benzinë.

Si veprohet në rastin kur mjeti është prodhuar para 30 vitesh, por ka motor me lëndë djegëse naftë. E përfiton statusin Retro?

Mjetet me motor me djegie të brendshme naftë, do të merren në shqyrtim në rast se:

  • Janë regjistruar më pak se 20 mjete të atij modeli specifik, për qarkullim të përditshëm, në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Është mjet lindor (i prodhuar në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Kinë, apo vende të tjera të bllokut lindor);
  • Ka vlerë historike për shkak se është përdorur në një eveniment/aktivitet që shënon një ngjarje jubilare në histori;
  • Është përdorur nga një personalitet që ka lënë gjurmë në histori, brenda ose jashtë vendit;
  • Është përdorur në një ngjarje historike ose identifikohet me një vepër arti/produkt, me një situatë vlera historike/kombëtare apo me rëndësi për kultura specifike.

Çdo person që ka një mjet rrugor që plotëson kriteret e sipërpërmendura aplikon pranë faqes zyrtare Retro.al në formularin përkatës.

  • Aplikimi sipas formularit në format digjital i dërgohet Komisionit Retro për trajtim të mëtejshëm. Pas vlerësimit paraprak bazuar mbi të dhënat e mjetit, Komisioni vendos lidhur me refuzimin apo me vijimin e shqyrtimit teknik të mjetit rrugor  duke përcaktuar një datë për kontrollin fizik në vendin ku ai ndodhet i stacionuar ose në drejtorinë rajonale më të afërt.
  • Kryehet vlerësimi fizik dhe teknik i kritereve të përcaktuara më sipër. Në rast vlerësimi pozitiv nga Komisioni si mjet Retro, vijohet me lëshimin e Certifikatës së Njohjes dhe regjistrimin e mjetit në Qendrën Historike Shqiptare Retro.
  • Mjeti që fiton status Retro, pajiset me targa Retro dhe me dokumentacionin përkatës me vlefshmëri 4-vjeçare.

Nga ky moment poseduesi i mjetit mund të aplikojë për pajisje me Autorizim për lëvizje duke gëzuar të gjitha të drejtat dhe ngarkohet me të gjithë detyrimet që mbarten nga përfitimi i këtij statusi.

    • Për mjetet e prodhuara ndërmjet viteve 1990-1970

    Konsultohu me Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të blini, importoni apo restauroni mbart vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit RETRO!

    • Për importin e mjeteve të prodhuara ndërmjet vitit 1990-2000

    Ka shumë mjete që mund të ruhen, blihen ose importohen për qëllime koleksionimi, të cilat ende nuk e kanë arritur vjetërsinë e duhur për t’u përfshirë në Regjistrin e Mjeteve Retro. Për këtë arsye është hartuar lista e dytë, ose Lista e Zhvillimit “Future Classics”, e cila përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet (të prodhuara midis viteve 1990-2000). Procesi i verifikimit për marrjen e statusit Retro do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite). Prania në këtë listë do të jetë kriter i detyrueshëm për vijimin e procesit.

    Për më shumë informacion mbi importin e mjeteve: https://www.retro.al/udhezuesi-ruajtjen-dhe-importin-e-mjeteve.

    Mjetet Retro mund të qarkullojnë për një total prej 90 ditësh gjatë një viti. 

    Ndërsa, në rastin kur pronari i një mjeti  është anëtar i një shoqate mjetesh historike,  mund të qarkullojë për një total prej *180 ditësh përgjatë një viti.

     Arsyet e lejuara të lëvizjes janë:

    • Organizime/evenimente/panaire;
    • Rrugëtim për shfaqje individuale;
    • Rrugëtim për verifikime teknike dhe mirëmbajtjeje.

     *Anëtarët e shoqatave të themeluara, regjistruara dhe organizuara sipas parashikimeve të Ligjit nr. 8788, datë 07.05.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar, dhe Ligjit nr. 8789, datë 07.05.2001, “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, autorizohen të qarkullojnë për një afat maksimal prej 180 (njëqindetetëdhjetë) ditësh përgjatë një viti. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje mes shoqatës së mjeteve historike dhe DPSHTRR-së. 

    Për më shumë informacion: https://www.retro.al/apliko-si-shoqate-e-mjeteve-historike-retro

    Për automjete:

    • Pajisje me Targë Retro (2 copë): 3000 Lekë
    • Procedura e verifikimit dhe klasifikimit si mjet rrugor i hershëm: 10,000 Lekë
    • Lëshimi i Certifikatës së Njohjes: 2000 Lekë
    • Lëshimi i Autorizimit (Libri i Lëvizjes): 3000 Lekë
    • Totali i tarifës së regjistrimit për automjetet është 18,000 Lekë. Kjo pagesë është e vlefshme për 4 vite. 

    Për motomjete/ciklomotorë:

    • Pajisje me Targë Retro (1 copë): 1500 Lekë
    • Procedura e verifikimit dhe klasifikimit si mjet rrugor i hershëm: 10,000 Lekë
    • Lëshimi i Certifikatës së Njohjes: 2000 Lekë
    • Lëshimi i Autorizimit (Libri i Lëvizjes): 3000 Lekë
    • Totali i tarifës së regjistrimit për motomjete/ciklomotorë është 16,500 Lekë. Kjo pagesë është  e vlefshme për 4 vite.      

    Mjeti i cili ka fituar këtë status, pajiset me:

    • Targa Retro; 
    • Certifikatë njohje me vlefshmëri 4-vjeçare;
    • Autorizimi (libri i lëvizjes), ku shënohet itinerari i udhëtimit.

    *Certifikata dhe autorizimi (libri i lëvizjes) duhet të mbahen me vete në çdo qarkullim me mjet. 

    Mjeti i cili ka fituar këtë status, pajiset me targa Retro, të ndryshme nga targat e qarkullimit me shqiponjë blu.
    Këto targa janë dy llojesh:

    • Targa Retro për mjet;

    • Targa Retro për koleksion.

    Targat Retro për koleksion, janë targa me karakteristika të ndryshme me targat Retro për mjet.
    Targa Retro për koleksion, mund të kërkohet vetëm për persona që kanë një koleksion me të paktën tre mjete të pajisura me Certifikatë Njohje të vlefshme. Targa Retro për koleksion mund të mbarten nga një mjet në tjetrin me kushtin që mjetet t’i përkasin të njëjtës klasifikim të mjeteve rrugore.

    Formatet e targave Retro:

    Për automjete:

    Targë e gjatë normale  (520mmx112mm)

    Targë katrore normale  (264mmx205mm)

    Targë e gjatë e vogël  (290mmx75mm)

    Për motomjete/ciklomotorë:

    Targë ciklomotori (130mmx115mm)

    Mjeti me status Retro, përjashtohet nga taksat vjetore si dhe nga kontrolli teknik. Komisioni Retro kryen kontrollin fizik të mjetit 1 herë në 4 vite.

    Gjithashtu zotëruesi i mjetit Retro gëzon:

    • Të drejtën për të marrë pjesë në parada, organizime, panaire, shfaqje, ture automobilistike, etj. Përfshirja në Retro nuk i pengon këto subjekte të marrin pjesë në aktivitete të tjera, që nuk janë organizuar apo mbështetur nga Retro;
    • Të drejtën për t’u anëtarësuar në shoqata vendase apo të huaja, të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre ruajtjen, koleksionimin dhe shfaqjen e mjeteve rrugore të hershme;
    • Të drejtën të ekspozojnë mjetet e tyre në muze publikë apo privatë, si dhe rrugëtime individuale.

    Në përgjigje të propozimit të bërë nga DPSHTRR dhe komuniteti i koleksionistëve, AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) ka konfirmuar se shoqëritë e sigurimit janë të gatshme të ofrojnë policën e sigurimit të detyrueshëm për mjetet e hershme dhe me interes koleksionimi me afat vlefshmërie 15 ditore ose 30 ditore.

    * Aktualisht, po punohet për zhvillimet dhe përshtatjen e sistemeve të policave të sigurimit që do të lëshohen për këto mjete.

    Komisioni Retro mund të marrë në shqyrtim një mjet edhe kur mjeti nuk disponon dokumentacion që provon origjinën e tij, të pjesëve që e përbëjnë atë dhe/apo mbi zotëruesin e mjetit. 

    Në këtë rast aplikimi merret në shqyrtim duke plotësuar formularin e Vetëdeklarimit të mbajtjes së përgjegjësisë administrative/penale/civile për posedimin e mjetit. Krahas kësaj bëhen të gjitha qartësimet e nevojshme, verifikimi i të dhënave të treguesve të mjetit pranë çdo sistemi elektronik që disponon DPSHTRR apo institucione të tjera.

    Në rastin kur targat origjinale janë të hershme, të prodhuara përpara datës 01.09.2010, atëherë këto targa nuk vlejnë për qarkullim, por mund të përdoren për ekspozim.

    Në rast se mjeti ka detyrime të papaguara, aplikuesit i caktohet një afat 30 ditor për pagimin e detyrimit. Procedura pezullohet përgjatë kësaj kohe, deri në shlyerjen e detyrimeve. 

    Këto mjete mund të lëvizin lirshëm jashtë kufirit shqiptar për pjesëmarrje në evente të ndryshme apo lëvizje të tjera të autorizuara.

    * Në këtë rast mjeti duhet të pajiset me leje qarkullimi ndërkombëtare dhe siguracion ndërkombëtar.

    Për ato mjete që nuk janë përfshirë në Listën e Mjeteve Historike, por ka arsye për të besuar se  mund të mbartin vlera historike, mund të paraqitet një kërkesë me shkrim për përfshirjen e  modelit në fjalë në Listën e Mjeteve Historike, duke argumentuar kërkesën dhe duke përfshirë gjithë dokumentacionin mbështetës. Prioritet do të kenë mjetet:  

    a) Lindore (të prodhuara në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Kinë, apo vende të tjera të  bllokut lindor); 
    b) Që mbartin vlerë historike, për shkak se janë përdorur në një eveniment/aktivitet që  shënon një ngjarje jubilare në histori;  
    c) Që janë përdorur nga një personalitet që ka lënë gjurmë në histori, brenda ose jashtë  vendit; 
    d) Që janë përdorur në një ngjarje historike ose identifikohen me një vepër arti, produkt,  apo situatë me vlera historike/kombëtare dhe me rëndësi për kultura specifike.

    Lista e Mjeteve Historike përditësohet në mënyrë periodike (çdo gjashtë muaj) dhe publikohet në faqen zyrtare www.retro.al


    PYETJE TË SHPESHTA

    Në rastin e humbjes, vjedhjes dhe/apo dëmtimit të targës Retro, zbatohet e njëjta procedurë sikurse ndodh me një targë të zakonshme për qarkullim të përditshëm. Zotëruesi i mjetit Retro duhet të bëjë aplikimin pranë Drejtorisë Rajonale ku ka vendbanimin.

    Në rastet e humbjes, vjedhjes apo dëmtimit të Certifikatës së Njohjes, zotëruesi duhet të njoftojë pranë sektorit Retro në DPSHTRR, ku më pas vijohet me plotësimin e dokumentacionit dhe lëshimin e dublikatit me afatin e vlefshmërisë sipas afatit kohor të mbetur.

    Në rastin kur mjeti Retro shitet, dhurohet, apo ndërron pronësi me ndonjë mënyrë tjetër të parashikuar nga Ligji, bëhet azhurnimi i Certifikatës së Njohjes, pa iu nënshtruar sërish procedurës së vlerësimit dhe klasifikimit të mjetit.

    Certifikata lëshohet me afatin e vlefshmërisë së mbetur, por me emrin e pronarit të ri. Nëse pronari i ri i mjetit Retro dëshiron të pajiset me Certifikatë me afat vlefshmërie të plotë, duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit dhe klasifikimit të mjetit, sikurse çdo mjet tjetër.

      Një mjet rrugor i hershëm që zotëron Certifikatën e Vjetërsisë së një klubi të huaj, apo një kartë identifikimi të lëshuar nga FIVA, mund të importohet dhe të përfshihet në listën e Qendrës Historike Shqiptare Retro.

      Të gjithë zotëruesit e mjeteve Retro duhet të përmbushin detyrimet e parashikuara sipas Rregullores Retro. Të cilat janë:

      1. Të ruajnë me mirëbesim mjetet rrugore të hershme, me interes historik dhe koleksionimi, si dhe të përmbushin detyrimet procedurale, duke siguruar akses për DPSHTRR-në në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore;  
      2. Të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga Retro. Mungesa e pjesëmarrjes në më shumë se 1/2 e aktiviteteve të organizuara në nivel kombëtar përgjatë 1 viti kalendarik, përbën shkak për sanksione ndaj zotëruesit të mjetit Retro, që arrijnë deri në përjashtimin nga lista e Qendrës Historike Shqiptare Retro dhe anulimin e Certifikatës së Njohjes së mjetit;
      3. Të informojnë DPSHTRR-në për çdo rast dëmtimi, zhvlerësimi apo vjedhje të mjetit Retro, krahas dërgimit të njoftimit tek organet e tjera ligj-zbatuese;  
      4. Të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor gjatë udhëtimeve me mjetin Retro, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor dhe Vendimit nr.153, datë 07.04.2000, të Këshillit të Ministrave.
      5. Të mos kenë sjellje, qëndrime apo veprime që janë në kundërshtim me interesat dhe qëllimin e funksionimit të Retro, apo që cenojnë imazhin e saj në publik;
      6. Të respektojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë Rregullore.

      Mosrespektimi i detyrimeve të mësipërme dhe kushteve të përcaktuara në këtë Rregullore përbëjnë shkak për marrjen e masave administrative ndaj subjektit që zotëron mjetin Retro.

      Masat mund të përfshijnë: 

      Mohimin e Autorizimit për lëvizje, ndalimin e pjesëmarrjes në parada, organizime, panaire dhe çdo aktivitet tjetër që zhvillohet në nivel lokal apo kombëtar, pezullimin e përkohshëm të statusit Retro, përjashtimin nga lista e Qendrës Historike Shqiptare Retro dhe anulimin e Certifikatës së Njohjes së mjetit.

      Përjashtimi nga Lista e Qendrës Historike Shqiptare Retro dhe të gjitha sanksionet e tjera bëhen me vendim të Komisionit Retro. Në vështrim të kësaj Rregulloreje, përjashtimi përfshin ndalimin për të marrë pjesë në aktivitete, organizime dhe evenimente të nivelit kombëtar, për një periudhë 3 vjeçare, si dhe ndalimin e aplikimit për të qenë pjesë e listës së Qendrës Historike Shqiptare Retro për 3 vite nga momenti i përjashtimit. Vetëm pas përfundimit të afatit 3 vjeçar, subjekti do të mund të aplikojë sërish për përfshirjen e mjetit në listën e Qendrës Historike Shqiptare Retro. 

      Shkarko Dokumentacionin: 

      Keni ende paqartësi mbi kushtet dhe kriteret për përfitimin e statusit RETRO?

      Na Shkruaj: