Udhëzime Paraprake mbi Kushtet dhe Kriteret për Statusin e Mjeteve RETRO

 

Shqipëria gjithmonë është cilësuar si rruga lidhëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit. DPSHTRR kërkon që të bëjë evidentimin e mjeteve rrugore që ndodhen në Shqipëri dhe që janë ndërtuar ose në vende perëndimore ose në vende lindore. Në vështrim të turizmit, Shqipëria mund të ofrojë një flotë mjetesh që nuk gjenden në regjistrat e shoqatave perëndimore të automobilizmit.

Në Shqipëri vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Nga verifikimet në terren ka mjete rrugore që pavarësisht viteve, janë të ruajtura në kushte shumë të mira teknike, madje mund të qarkullojnë në rrugë.

Qëllimi i saj është përcaktimi i procedurave të vlerësimit dhe klasifikimit të ciklomotorëve, motomjeteve dhe automjeteve të prodhimeve të hershme me interes historik e koleksionimi, lëshimin e certifikatës së njohjes dhe mbajtjes së një regjistri elektronik kombëtar RETRO, si dhe mënyrat e promovimit të kësaj kulture. 

Në përfundim, Qendra Historike Shqiptare RETRO është një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura. 

Në vështrim të legjislacionit “Mjet rrugor të hershëm” (Mjet RETRO) do të quhet ciklomotori, motomjeti dhe automjeti që plotëson kushtet e mëposhtme:

  • të jetë i prodhuar së paku përpara 30 vitesh,
  • të jetë i ruajtur apo i rikonstruktuar në formën e tij origjinale, për shkak të ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturës teknike,
  • të mos përdoret në qarkullimin e përditshëm,
  • të mos jetë më në prodhim,
  • të jetë mjet me motor me lëndë djegëse benzine.

Gjithashtu do të regjistrohen në Regjistrin RETRO mjete me motor me lëndë djegëse naftë vetëm nëse:

  • aktualisht ekziston një numër shumë i vogël modelesh të regjistruara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë,
  • janë mjete të prodhimit sovjetik (përpara vitit 1990),
  • mjeti ka vlerë historike për shkak se është përdorur në një eveniment/aktivitet që shënon një ngjarje jubilare në histori,
  • është përdorur nga një personalitet që ka lënë gjurmë në histori,
  • është përdorur në një ngjarje historike,
  • mbart vlera të veçanta inxhinierike apo teknike që e kanë diferencuar nga mjetet e tjera të asaj gjenerate.

Vendimi Nr. 633, datë 26.10.2018, lejon importin e mjeteve të përcaktuara si Automjete të hershme dhe ato me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:

  • automjetet e prodhuara deri në Dhjetor 1970,
  • automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 Dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë,
  • automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

Mjete të cilat importohen për efekt Retro, është e rëndësishme që të verifikohen dhe të pajisen me një autorizim të lëshuar nga DPSHTRR, i cili i përcillet komisionit shqyrtues dhe në mënyrë që ky i fundit të vleresojë mjetin ose jo të këtij koleksioni. Kjo procedurë shmang importin e mjeteve për të cilat DPSHTRR mund të refuzojë regjistrimin në regjistrin Retro për shkak të kushteve që bien ndesh me procedurat dhe kriteret e përcaktuara.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të kryejë vlerësimin e klasifikimin e mjeteve rrugore me vlerë historike nëpërmjet kontrollit të mjetit rrugor dhe dokumentacionit të tij (nëse disponon), përcaktimit të prejardhjes, vlerësimit, kategorizimit të mjetit rrugor, pjesëve dhe konstruksioneve të tij.

Vlerësimi dhe klasifikimi i mjeteve rrugore në kategorinë e mjeteve rrugore me vlerë historike bëhet sipas vjetërsisë, karakteristikave teknike dhe ruajtjes së formës, pjesëve dhe konstruksioneve të tyre. Për çdo element të sipërcituar do të vendosen kode të dedikuara sipas standartit të FIVA (Fédération Internationale des Véhicules Anciens).

Mjetet rrugore që vlerësohen si të hershme dhe përfshihen në Regjistrin RETRO, pajisjen me një “Çertifikatë njohje” të mjetit rrugor me afat vlefshmërie 4 (katër) vjet.

Komisioni parashikohet të nisë funksionimin me datë 13.01.2020.

Fillimisht ju duhet të plotësoni formularin VETËDEKLARO MJETIN RETRO në mënyrë që të disponojmë të dhënat e mjetit tuaj. Na përcillni çdo të dhënë që ju mendoni se është e vlefshme për të përcaktuar vjetërsinë e mjetit, origjinalitetin dhe mënyrën si ju keni rënë në zotërim të mjetit. Para ngritjes së komisionit do të procedohet me këto informacione për ngritjen e një databaze.

E njëjta procedurë do të ndiqet nëse zotëruesi disponon dokumentacion ku vërteton pronësinë e mjetit.

Çdo mjet që zotëron specifikat e sipërpërmendura, mund të aplikojë për verifikim të mjetit. 

Nëse ju nuk zotëroni dokumentacion provues të pronësisë së mjetit, do të vijoni me Vetëdeklarim, i cili ju ngarkon me përgjegjësi administrative.

Të gjithë subjektet që cilët kanë në pronësi apo posedim një mjet që tashmë është konsideruar mjet rrugor i hershmë dhe është i regjistruar në RETRO kanë të drejtën dhe detyrimin që:

  • të ruajnë në mirëbesim me shpenzimet e tyre mjetet rrugore të hershme, me interes historik dhe koleksionimi, si dhe të përmbushin detyrimet proceduriale duke siguruar akses për DPSHTRR-në, në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore,
  • të marrin pjesë përmes një autorizimi të DPSHTRR në organizime, evenimente, panaire, shfaqje, ture automobilistike. Të qenurit pjesë e RETRO, nuk i kufizon këto subjekte që të marrin pjesë në aktivitete të tjera përveç atyre të organizuara apo të mbajtura nga RETRO,
  • të qenurit pjesë e RETRO, nuk kufizon anëtarësimin në shoqata vendase apo të huaja që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre ruajtjen, koleksionimin dhe shfaqjen e mjeteve rrugore të hershme,
  • të shfaqin mjetet rrugore të hershme, me interes historik dhe koleksionimi, përkohësisht në muzetë publikë dhe privatë, si dhe të bëjnë të disponueshme për publikun këto mjete,
  • të informojnë RETRO për çdo rast të dëmtimit, zhvlerësimit dhe vjedhjes së këtyre mjeteve,
  • të gjithë subjektet në rast se nuk kanë mundësi për të siguruar ruajtjen e mjetit rrugor me interes historik dhe koleksionimi të regjistruar, mund ta sjellin për ruajtje të përkohshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Marrëveshja përkatëse do të rregullohet sipas një formati standart të miratuar nga DPSHTRR në përputhje me parashikimet e Kodit Civil dhe legjislacionit në tërësi. 

Gjithashtu pas fitimit të statusit përmes çertifikatës së njohjes, këto mjete rrugore të hershme janë të përjashtuara nga:

  • taksa e mjedisit,
  • tarifat e qarkullimit në qendrat e qyteteve,
  • taksa vjetore e mjeteve të përdorura,
  • ndalimi i qarkullimit në qendrat e qyteteve.

 

Mjeti rrugor i hershëm, mbështetur në Kodin Rrugor dhe në praktikën e vendeve perëndimore, nxirret jashtë regjistrit kombëtar të mjeteve që qarkullojnë. Për këtë shkak, nuk lejohet qarkullimi i tij në përditshmëri.

Qarkullimi me këto mjete lejohet vetëm përmes një autorizimi i cili do të ketë të përcaktuar një afat maksimal vlefshmërie në numër ditësh të lëshuar nga DPSHTRR dhe vetëm për pjesëmarrjen në organizime, evenimente, panaire, rrugëtime, rrugëtime për verifikime teknike dhe mirëmbajtje. Autorizimi mund të tërhiqet në çdo Drejtori Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor ose nëpërmjet aplikimit online në platformën Retro.

Vetëm mjetet të cilat kanë patur një regjistrim të mëparshëm në Republikën e Shqipërisë mund të rikthehen në qarkullim me targa të zakonshme, duke humbur të drejtën e përfshirjes në regjistrin retro dhe u trajtuar në vështrim të kuadrit fiskal, mjedisor apo të kontrollit teknik njësoj si mjetet e tjera rrugore.

Ndërkohë mjetet që janë importuar dhe zhdoganuar përmes autorizimit, sipas parashikimit të pikës 3 të Nenit 3, të VKM Nr.633 dhe kanë përfituar statusin Retro nuk mund të përfitojnë targa të zakonshme për qarkullim të pa kufizuar.

Mjetet rrugore të hershme do të pajisen me targë të veçantë, pas marrjes së certifikatës së njohjes.

Për të gjithë koleksionistët që disponojnë të paktën tre mjete në Regjistrin RETRO, mund të zgjedhin të pajisen me një targë të vetme e cila do të jetë e vlefshme për të gjithë mjetet, pjesë e këtij koleksioni. Ju mund të qarkulloni vetëm me një mjet njëherësh. Në rast se koleksionuesi dëshiron të pajisë çdo mjet me një targë, ose të lëvizë me më shumë se një mjet njëkohësisht, mund të aplikojë lirisht për targa Retro.

Ftojmë të gjithë koleksionistët që kanë një mjet të vjetër që:

  • ka mbi 30 vjet prodhim,
  • ka ruajtur origjinalitetin dhe format,
  • potencialisht brenda kritereve për regjistrimin në Regjistrin Zyrtar RETRO,

të kryejë pagesën e Taksës Vjetore të Mjeteve të Përdorura (TVMP) e cila i përket vitit kalendarik 2019. Detyrimet e mbartura duhet të shlyhen për të vijuar me çregjistrimin e përkohshëm brenda datës 31 Dhjetor 2019, në mënyrë që të mos taksoheni edhe me detyrimet e vitit 2020!

Ju mund të pajiseni me një targë të përkohshme deri në vendimin e komisionit i cili do të përcaktojë përfundimisht nëse mjeti juaj mund të jetë pjesë e regjistrit Retro. Aplikimi për Targë të Përkohshme PRK me Fletë Udhëtimi mund të bëhet online ne linkun: https://www.retro.al/apliko-online-targe-te-perkohshme

Me hyrjen në fuqi të akteve, DPSHTRR do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme për verifikimin, klasifikimin dhe kategorizimin e të gjitha aplikimeve të mjeteve pretendente për statusin RETRO.

 

Aplikime Online:

 

 

 

Keni ende paqartësi mbi kushtet dhe kriteret për përfitimin e statusit RETRO?

Na Shkruaj: