Në kuadër të festimit të mbi 1 shekulli automotorizim shqiptar (105-vjet nga regjistrimet e para të automjeteve në Shqipëri), të themelimit të të parit Regjistër Zyrtar RETRO të mjeteve shqiptare me interes historik, si edhe mbi të gjitha të 20-vjetorit të institucionit të themeluar në 1999, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) organizoi në datat 1-3 Nëntor 2019 një sërë aktivitetesh të cilat evokojnë në retrospektivë të djeshmen e automotorizimit shqiptar, festojnë konsolidimin dhe rifitimin e kredibilitetit nga DPSHTRR sot, si institucion kombëtar në vitin e kthesës historike dhe përmirësimet e ndjeshme të cilësisë së shërbimeve të transportit rrugor për qytetarët, duke shpalosur horizontin dhe perspektivën për nesër. Shërbimi i transportit rrugor prek jetën e të gjithë familjeve shqiptare duke e kthyer DPSHTRR si një nga ndërmarrjet me më shumë ndikim, me mbi 2 milionë shërbime në vit, në kontakt të përditshëm me qytetarët.
Në këtë vit jubilar e historik, DPSHTRR rikthen besueshmërinë dhe transparencën duke synuar krijimin e një imazhi pozitiv nëpërmjet përmirësimit të shërbimit dhe hapjes sociale të institucionit për të dëgjuar zërin e qytetarëve, duke thyer barrierat e komunikimit të ngritura ndër vite.
Sot, qytetari është në fokusin kryesor të hartimit të politikave të DPSHTRR.
Sot, koleksionistët RETRO, pushtojnë kryeqytetin me koleksionin e vyer të mjeteve historike shqiptare, pasion i cili nuk do të qëndrojë më i pluhurosur në garazhdet e harresës disa-vjeçare falë projektvendimit për “Për vlerësimin dhe klasifikimin e ciklomotorëve, motomjeteve dhe automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi”. Mjetet historike do të kenë lehtësira të shumta, si përjashtimi nga taksat e luksit, ndalesat e importit lidhur me kategorinë mjedisore, do të jenë të përjashtuar nga taksa vjetore e qarkullimit, nga taksat mjedisore, madje edhe nga kontrolli teknik periodik. Më së fundmi, ky komunitet të apasionuarish, një komunitet deri dje i padukshëm, shumë shpejt do të gëzojë statusin e merituar si të gjithë koleksionistët e mjeteve nga vendet e ndryshme të Europës, duke i dhënë mundësinë për të marrë pjesë në aktivitete kulturore, turistike në Shqipëri e jo vetëm.
DPSHTRR do të ngrejë dhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO si një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.
Pallati i Brigadave
Ceremonia jubilare e 20-vjetorit të DPSHTRR-së në atmosferën e mbi 1 shekull automotorizim shqiptar, si dhe themelimi i Regjistrit Zyrtar të parë të Mjeteve Historike. N'GAZ mblodhi së bashku qindra kolegë të administratës së DPSHTRR-së dhe MIE-s, përfaqësues nga institucione dhe partnerë, koleksionistë shqiptarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë kufijve, pasionantë të historisë dhe artit e kulturës! Ekspozimi i dhjetëra mjete historike të koleksionit RETRO, linja muzeale e arkivave, fotografive të vjetra, dokumenteve e artefakteve shekullore të automotorizimit në Shqipëri si pjesë e këndit RETROspektivë, muzikë Swing & Jazz, biseda të ngrohta e foto të bukura mes miqsh, na shoqëruan në mbrëmjen e 1 Nëntorit në Pallatin e Brigadave.
Në Ceremoninë Jubilare, u nderuam nga prezenca e veçantë dhe fjala përshëndetëse e Ministres së Ministrisë së Infrastrukturës, Znj. Belinda Ballu, si dhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama.
Gjatë fjalimeve, u ndanë çmime mirënjohje për persona të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e automotorizimit si:
1. Z. Arben Prrenjasi (për kontributin e çmuar në koleksionimin e mjeteve historike RETRO)
2. Z. Mehdi Halilaj (për kontributin e çmuar në restaurimin me mjeshtëri të mjeteve historike RETRO)
3. Z. Përparim Kolasi (për kontributin e çmuar në restaurimin me mjeshtëri të mjeteve historike RETRO)
4. Z. Renis Bodinaku (për kontributin e çmuar në koleksionimin e mjeteve historike RETRO)
5. Oldtimer Club Prizren ( për bashkëpunimet në eventet RETRO)
6. Z.Salvator Franja, Drejtori i parë i DPSHTRR-së (për kontributin e veçantë në themelimin e institucionit dhe përkushtimin profesional)
Pas ndarjes së çmimeve më sipër, një falenderim i veçantë shoqëruar me çmimin simbolik për mbështetjen për Kryeministrin dhe Ministren, nga Drejtori i Përgjithshëm, Z. Blendi Gonxhja.
Sheshi “Skënderbej”
Aktiviteti pason në ditën e Shtunë, datë 2 Nëntor, ku mjetet historike udhëtuan në trajtën e një parade drejt sheshit “Skënderbej”, aty ku së bashku me mjete të tjera historike të transportit rrugor u ekspozuan deri të Dielën pasdite për t’u admiruar nga afër për publikun. Fundjava kulmoi në mbrëmjen e së Shtunës me një koncert festiv nën ritmet jazz & swing të performuara nga grup-orkestra italiane Jumpin’Up, DJ Lalla Hop dhe DJ Arpad dhe balerinë profesionistë në stilin e viteve ’50, atmosferë e kujdesur artistikisht nga Hemingway Fan Club Albania.
Gjatë datës 2 Nëntor, u zhvillua “Vespa Parade Tirana 2019”, parada e mbi 100 vespave që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të cilat gumëzhin në rrugët kryesore të kryeqytetit për t’u mbledhur te sheshi “Skënderbej”.
Gjithashtu, u zhvillua starti i “Tirana24Hours” Offroad Rally e organizuar nga Rally Albania, e organizuar enkas ne kuadrin e datave te N'Gaz, ku u ndanë dhe çmimet e fituesve.
Sheshi “Skënderbej”
Perfomancë nga Banda Frymore e Qytetit për të ndezur atmosferën e së Dielës në shesh, ku vijoi ekspozimi i mjeteve historike të koleksionit RETRO, ndërsa këndi muzeal RETROspektivë te Pallati i Brigadave qëndroi i hapur përgjatë gjithë fundjavës për publikun.