Skip to main content

Cilët Jemi

 

Mirë se vini në RETRO - Koleksioni Shqiptar

Platforma online ku ndajmë dashurinë për mjetet historike si vlera arti, teknologji, dizajn, mjeshtëri e krijimtari të paharrueshme.

RETRO është projekti i shumëpritur dhe i shumë dëshiruar nga mjeshtrat, restauruesit dhe koleksionuesit e ciklomotorëve dhe automjeteve të hershme me interes historik.

RETRO lindi për të jetëzuar një trashëgimi deri sot pa status dhe për të promovuar e ekspozuar sa më shumë mjete dhe kujtesë automotorizimi me interes historik, si dhe për të ofruar informacione, shërbime dhe lehtësira për këtë aktivitet me ndjeshmëri kaq të veçantë.

Si lindi Retro? 

RETRO është një projekt i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në 23 Shkurt të vitit 2019, zë fill website-i retro.al, si platforma e parë online në Shqipëri, e gjitha dedikuar “udhëtarëve të kohës”, entuziastëve të automobilistikës dhe mjeteve prej epokave të shkuara.

Në një muaj ekipi i RETRO komunikoi në mënyrë të vazhdueshme me koleksionistët nëpërmjet rrjeteve sociale, telefonatave, takimeve dhe intervistave. Gjatë këtij procesi u evidentuan disa nga problematikat dhe vështirësitë e hasura, të cilat ndihmuan për të konkretizuar objektivat e këtij projekti.

“RetroPublik”, Dëgjesa e parë me komunitetin RETRO  

24 Prill 2019

Në kuadër të qartësimit të këtyre objektivave, u pa e domosdoshme organizimi i një dëgjese publike me komunitetin e koleskisonistëve të mjeteve historike dhe grupeve të tjera të interesit.

RetroPublik u organizua në 24 prill 2019 nga DPSHTRR, si dëgjesa e parë publike në trajtën e bashkëbisedimit mbi propozimet për themelimin e rregullave dhe përmirësimin e akteve ligjore për mjetet me interes historik dhe atyre për koleksion. Në këtë dëgjesë morën pjesë koleksionistë dhe të pasionuar të mjeteve historike, klube dhe shoqata, restaurues, përfaqësues nga biznese në fushën e automobilizimit, specialistë të sektorit automotiv dhe përfaqësues politikash e shërbimesh të transportit rrugor. Përtej takimit njohës e shpjegues, RetroPublik ishte edhe një panair që mblodhi mbi 30 mjete historike në ambientin e jashtëm të Kryeministrisë e që tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve kureshtarë.

Gjatë takimit, u diskutuan çështje dhe problematika me interes si: regjistrimi i mjeteve historike, taksat, mungesa e dokumentacioneve, homologimi dhe u shkëmbyen sugjerime dhe përvoja mes pjesëmarrësve, stafit organizator dhe specialistëve të fushës. Kjo dëgjesë bashkoi jo vetëm dashamirësit por edhe më skeptikët, që kishin humbur shpresën se kërkesat e tyre për vendosjen e një statusi të veçantë për mjetet historike do të merreshin ndonjëherë parasysh.

Fill pas dëgjesës RetroPublik, nisi hartimi i akteve dhe normave ligjore, mbi bazën e të cilave mjetet historike do të mund të fitonin një status të veçantë.

“Statusi i veçantë” nënkupton ofrimin e lehtësirave për këto mjete si përjashtimi nga taksat e luksit, ndalesat e importit lidhur me kategorinë mjedisore, përjashtimi nga taksa vjetore e qarkullimit, nga taksat mjedisore, si dhe nga kontrolli teknik periodik.

“N'GAZ, Zyrtarizimi i Regjistrit RETRO

1-3 Nëntor 2019

Në atmosferën mbi një shekullore të automotorizimi shqiptar, bashkuar me ndjesitë e themelimit të të parit regjistër zyrtar RETRO të mjeteve shqiptare me interes historik, si edhe në kremt të 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), u organizuan në datat 1-3 Nëntor 2019 një sërë aktivitetesh që rikthyen në RETROspektivë të djeshmen e automotorizimit shqiptar.

N'GAZ mblodhi së bashku qindra pasionantë të historisë, artit dhe kulturës, përfaqësues nga institucione dhe partnerë, koleksionistë shqiptarë. Ekspozimi i dhjetëra mjeteve historike të koleksionit RETRO, linjës muzeale arkivore, fotografive të vjetra, dokumenteve e artefakteve shekullore të automotorizimit si pjesë e këndit RETROspektivë, muzikë Swing & Jazz, biseda të ngrohta e fotografi të bukura mes miqsh, shoqëruan mbrëmjen e 1 Nëntorit në Pallatin e Brigadave për të vijuar mandej në Sheshin “Skënderbej”.

Komisioni RETRO

8 Qershor 2020

Në 8 Qershor 2020, u themelua komisioni Retro. Fillimisht u shqyrtuan autobiografitë që shoqëruan koleksionizmin dhe restaurimin e mjeteve historike në vendin tonë. U hulumtuan histori personale të qytetarëve të zakonshëm që me portretet e tyre pasqyronin orë të tëra përkushtimi në rijetëzimin e mjeteve të vjetra. Si rezultat i këtyre shqyrtimeve, u përzgjodhën dy koleksionistë si anëtarë të “Komisionit të Vlerësimit të Mjeteve Historike RETRO”, së bashku me ekspertë nga DPSHTRR-ja dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Komisioni Retro 

Komisioni i Vlerësimit të Mjeteve Historike Retro përbëhet nga ekspertë të DPSHTRR, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me koleksionistë që inspektojnë me kujdes hiret e të fshehtat e motorëve. Komisioni Retro kryen takime të përjavshme për të vlerësuar mjetet që kanë aplikuar për status Retro.

Historiku i Komisioneve Retro

Anëtarësimi në FIVA

Në 19 Nëntor 2022, Retro Albania bëhet pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA), familja mbarëbotërore për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e mjeteve historike, ku bëjnë pjesë 109 shtete dhe një flotë prej mbi 1.5 milionë mjete koleksioni.

Delegacioni i DPSHTRR, enti iniciator dhe themelues i Retro Albania, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIVA (e themeluar në vitin 1966, si përfaqësim i miliona entuziastëve të mjeteve historike në mbarë globin, partnere e UNESCO prej vitit 2017, duke përfaqësuar trashëgiminë botërore të automobilizmit) në Sofie, Bullgari, ku Presidenti i FIVA, Z. Tiddo Bresters, iu lexoi të pranishmëve edhe një mesazh përshëndetës nga Shqipëria pas njoftimit zyrtar të hyrjes së Retro Albania me të drejta të plota në FIVA.